Hero (INA) jonë është Mërgime Ajdini, Inxhiniere e Diplomuar dhe magjistre për menaxhim me burimet e mbrojtjes dhe sigurisë në fushën e menaxhimit me kriza dhe mbrojtje dhe shpëtim.
Ajo u largua nga Dibra, e cila është e rrethuar nga liqene dhe male, dhe niset për në kryeqytetin e Maqedonisë. Sfida e saj e parë është përshtatja në metropol, kalimi i kohës së saj të lirë duke pritur transport, pastaj turmat në rrugës për në shtëpi nga puna, por ngadalë mësohet dhe fillon të organizojë kohën dhe jetën e saj sipas rregullave të reja. Që nga rinia e saj e hershme, idhulli i saj ishte Marie Curie Skłodowska, e cila është e vetmja grua midis shkencëtarëve botërorë që ka pasur guximin të ndihet e barabartë.
Bashkëlidhur mund të ndiqni intervistën e plotë.
A mund të ndani disa nga përvojat tuaja si grua që punon në Ministrinë e Mbrojtjes? A jeni përballur me ndonjë sfidë apo diskriminim në vendin e punës?
Me profesion, jam Inxhinieri Elektrike e diplomuar, drejtimi elektronikë. Në Ministrinë e Mbrojtjes kam saktësisht 30 vjet përvojë pune. Sektori për Informatikës i aso kohe kishte nevojë për staf profesional dhe ne u pranuam një grup prej disa inxhinierë. Për shkak të profesionit të zgjedhur si studente, mësova të përballem me gjininë e kundërt, më saktë të ndihem e barabartë me ta, ndoshta kjo më ndihmon edhe të menaxhoj dhe përshtatem më lehtë në një institucion ku dominon gjinia mashkullore. Kishte shumë sfida, ne gratë nga shkencat teknike që ishim në një numër të vogël jo vetëm që duhej të bënim më shumë përpjekje për të provuar veten si profesioniste, por duhej të bënim vend që gratë e tjera që do të vinin pas ne, të dinin se ne mundemi, dimë dhe jemi në gjendje të punojmë dhe të menaxhojmë ashtu si kolegët tanë meshkuj. Unë kisha një sfidë plus isha shqiptarja e vetme në fushën e TI-së (teknologjive informatike) gjithashtu e vetmja në strukturën udhëheqëse. Ndërkohë, jam regjistruar në studimet pasuniversitare dhe kam marrë titullin master në menaxhim me burimet e mbrojtjes dhe sigurisë në fushën e menaxhimit të krizave dhe mbrojtjes dhe shpëtimit
Ministria jonë ka strategjitë, politikat dhe iniciativat e veta për ndikimin pozitiv të grave në komunitete. Cili është roli Juaj për kontribut në shoqëri?
Po, ministria jonë ka strategji, politika dhe iniciativa për ndikim pozitiv të grave në komunitete. Sapo është nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Këshillit Kombëtar për Barazi Gjinore me mesazhin “se për mbrojtjen dhe Ushtrinë barazia gjinore është prioritet kryesor”. Kemi publikuar udhëzime dhe një listë të ndërmjetësve në rast të ngacmimit në vendin e punës nga Ministria dhe Armata ku unë jam trajnuar dhe emëruar si ndërmjetëse.
Ekziston një numër shumë i vogël i grave në politikë dhe madje edhe në pozita të larta në vendin tonë. Nga këndvështrimi juaj, a janë të nevojshme më shumë gra në funksione të larta dhe sa ndikon diversiteti gjinor në zbatimin më efikas të punëve ekzekutive?
Ne si shoqëri kemi nevojë për njerëz me integritet, pavarësisht nëse janë gra apo burra. Është e vërtetë se ka një numër të vogël të grave në funksione të larta, por jemi dëshmitarë me vite me radhë se kur duhej të votoheshin ligjet për avancim në shoqëri, deputetët/et tanë votuan sipas direktivës së partisë dhe disa herë u zhgënjeva nga besnikëria e tyre ndaj partisë për tema që prekin drejtpërdrejt gratë. Në vend që të demonstrojnë profesionalizmin e tyre dhe të mbrojnë të drejtat e qytetarëve, fillojnë një dialog të mprehtë mes tyre dhe votojnë në dëm të së ardhmes sonë.
Në fillim të viteve 2000 kam qenë aktive në sektorin joqeveritar në fushën e barazisë gjinore dhe barazisë për të gjithë qytetarët. Organizata jonë quhej AKS dhe qëllimi ynë ishte të trajnonim gratë për të rritur ndërgjegjësimin dhe vetëbesimin për vendin e tyre në të gjitha nivelet e shoqërisë.
Para vitit 2006, nga ana e sektorit joqeveritar u nis një iniciativë që çdo i treti kandidat në listat zgjedhore të jetë femër, dhe për këtë një grup i madh i organizatave të sektorit joqeveritar lobuan të gjitha partitë politike.Nisma rezultoi e suksesshme dhe që atëherë numri i grave në listat zgjedhore është rritur në 30%, duke rritur automatikisht numrin e grave deputete.
Cila është këshilla juaj për gratë që duan të ndjekin procesin e zbatimit të ligjit ose pozicionet e qeverisë, veçanërisht në rolet tradicionalisht të dominuara nga burrat?
Para së gjithash, të dëshirojnë të kontribuojnë në të mirën e shoqërisë, pa marrë parasysh sa e vogël mund të jetë pjesa e tyre, dhe të vazhdojnë të bëjmë vepra të mira për hir tonë dhe për hir të brezave të rinj. Gjithashtu duhet të sigurojmë kushte që të rinjtë të ngelin këtu dhe të avokojnë për përparimin e shoqërisë. Nuk mund të thuhet se vetëm burrat ose vetëm gratë janë të aftë për pozita qeveritare ose zbatim të ligjit, është e rëndësishme të jenë profesionistë, të drejtë dhe të kryejnë detyrat e tyre me ndershmëri dhe përgjegjësi.
Ndërsa hulumtoja për Ju, zbulova se e doni letërsinë…
Dashuria për natyrën dhe leximin nuk mund të ndahet nga dashuria për të vizituar vendet e botës për të cilat tashmë është krijuar një imazh në mendjen tuaj, pas përshkrimit të shkrimtarit. Kur viziton këto vende, mahnitesh nga kryeveprat kolosale të krijuara nga mendje të mëdha, artistë, arkitektë, ndërtues dhe vetë nëna natyrë gjatë shekujve në të gjitha kontinentet.
Babai im ishte profesor i biologjisë dhe gjithashtu një adhurues i madh i librave, ne katër fëmijët e tij e trashëguam atë pasion. Tradita vazhdon dhe fëmijët tanë janë adhurues të librit. Në vitin 2016, një mikja ime që jetonte në Shtetet e Bashkuara më tha se klubet e lexuesve veprojnë atje në mënyrë joformale dhe me iniciativën e saj filluam të mblidheshim dhe të diskutonim për libra tashmë të zgjedhur. Shoqërimi i parë ishte te, Afërdita, dhe libri i parë që diskutuam gjatë asaj periudhe nuk mund të ishte tjetër veçse hiti i atëhershëm “50 hijet e Greit” i E.L. James. Për të sensibilizuar të tjerët për të lexuar, takimet në fillim, i organizuam në ndonjë kënd në kafeteri të ndryshme dhe ia dolëm qëllimit tonë, numri i grave që na u bashkuan u rrit. Për disa vjet me radhë, takimet tona mujore i organizojmë në bibliotekën e Universitetit Shtul, në Shkup.
Grupi është zgjeruar dhe përveç Shkupit, tani ka 16 klube në disa qytete në Maqedoni dhe në diasporë që funksionojnë në mënyrë të pavarur, por një herë në vit në korrik në Strugë ose në një qytet tjetër mblidhemi, shoqërohemi dhe lexojmë poezi ose ese të shkurtra.
Dhe në fund, cila autore është inspirimi juaj?
Jam adhuruese e shkrimtarëve klasikë, por përveç motrave Bronte, Maya Angelou, Sylvia Plath, Margaret Atwood, më kanë bërë veçanërisht përshtypje veprat e:
- ELFRIEDE JELINEK – Fituese austriake e çmimit Nobel
- DORIS LESSING – Fituese britanike e Çmimit Nobel
- ANAIS NIN – me origjinë amerikano-franceze e njohur për ditarët e saj, eseiste dhe shkrimtare e tregimeve të shkurtra dhe erotikë.
- LEA YPI – Shkrimtare Shqiptare
Në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes https://mod.gov.mk/ ka qasje të lirë në të dhënat në nën-dritaren “Stop ngacmimit” dhe në nën-dritaren “Barazia gjinore”, ku mund të gjenden të dhënat e nevojshme për ngacmimin dhe barazinë gjinore dhe çdo vit publikohen raportet për përfaqësimin gjinor në MM.