Nuk rresht së më habituri se si njerëzit akoma e gjejnë të gjithë fajin në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit (MKO), por nuk gjejneë pothuajse aspak faj me një sistem që vazhdon të mbështesë ndarje dhe bën shumë pak për inkluzionin e grupeve të margjinalizuara të shoqërise, dhe jo, nuk po flas vetëm për institucionet qeveritare. MKO nuk është dokument i keq, është dokument i thjeshtë, dhe nuk përfshin as gjysmën e gjërave që njerëzit mendojnë që i përfshin. Problemi është që shumica e shoqërisë në Maqedoninë e Veriut akoma bezdisen shumë pak për përfshirjen e grupeve të margjinalizuara. Nëse do të bëja një listë të revistave, organizatave, dhe mediave alternative online, shumë nga të cilat përfaqësojnë diversitetin më së shumti në emër, rreth 80% nuk e reflektojnë këtë në autorët, bordet e drejtorëve, redaktorëve, dhe gjuhën që përdorin për të publikuar web faqet e tyre. Mos të harrojmë se arsyeja se pse unë dhe shumë shqiptarë mundën ti qasen hapësirës publike është fal të drejtave të avancuara nga MKO, dhe për këtë mund të jeni të sigurtë që jam shumë falenderuese. Jam në radhët e para të rreshtit të personave që avokojnë për të shkuar përtej MKO-së, por kjo fillon me kuptimin e llojit të dokumentit në fjalë, dhe akoma më e rëndësishme, të kuptimit të të gjitha të drejtave dhe konsideratave që ajo nuk i mbulon, gjëra si barazia, drejtësia dhe inkluzioni për grupet e margjinalizuara etnike, sociale dhe ekonomike.
Poashtu nuk rresht së më habituri se si problemet etnike mund të shfaqen në çdo qosh për të shpjeguar gjithçka që është gabim me shoqërinë. Të marrim censusin si shembull, a është politika etnike problem, absolutisht. A është politika etnike problemi i vetëm apo më i madh, absolutisht jo!
Ajo çka është problem është se sa njerëz vendosin të migrojnë pikërisht për shkak të humbjes të besimit në institucione që kërkojnë të politizojnë diçka të thjeshtë si censusi dhe e bejnë atë peng të politikës që është një praktikë jo vetëm e ushtruar nga BDI dhe partitë shqiptare, por edhe nga përbindëshi politik që refuzon të reformohet, VMRO, e cila akoma mban çështje të rëndësishme peng duke shtyrë njerëzit të harrojnë abuzimin e pushtetit të ushtruar nga ata vetë për më shume se 10 vite duke përdorur narrativën e njejtë nacionalise që ju mundësoi të vazhdojnë qeverisjen dhe pushtetin. Çfarë është problem është që sfida që partitë e kanë për artikuloimin e këtyre çështjeve me nuancën që ato meritojnë, gjë për të cilën jam për tu fajësuar edhe unë vetë.
Le të marrim çështjen e selektimit të etnisë në census, kur unë përzgjedh që i përkas komunitetin etnik shqiptar, kjo nuk do të thotë që jam nacionaliste apo që e konsideroj etninë si identifikuesin tim kryesor, por që kam mirënjohje për faktin që përkatësia ime në këtë bashkësi do të thotë që kam nevojë për arsim, dokumente dhe informata të qasshme në gjuhën që unë flas. Nëse do të harronim iluzionin që Maqedonia e Veriut është shtet mono-etnik, dhe e pranojnë si shtetin multi-kulturor dhe multi-gjuhësor që është, atëherë e gjithë kjo nuk do të duhej të përfaqësonte kurrfarë problemi. Problemi këtu nuk është etnia, është politizimi partiak i saj dhe problematizimi i politikave që janë të drejtuara drejt akomodimit të nevojave të grupeve të ndryshme etnike. Ndoshta askush nuk është më shumë për tu fajësuar sesa politikanët për mungesën e ideve inovative për krijimin e një të ardhmeje më të mirë për qytetarët e tyre. Dështimi i partive politike dhe elitës politike shqiptare për të artikuluar saktësisht se çdo të thotë shtëtësia e klasit të dytë pa u kthyer në etnocentrizëm dhe drejt shtyerjes të ligjeve dhe politikave që kanë shumë pak logjikë dhe nuk do të kontribuonin në zgjërimin e të drejtave të grupeve të margjinalizuara në shtet. Por, në të njejtë kohë vlen të theksohet se është akoma legjitime që të mbahet qëndrimi që fatkeqsisht, në Maqedoninë e Veriut, pa marrë parasysh a ke dëshirë të mbash frymën qyterare apo jo, etnia është akoma e lidhur ngushtë me pabarazinë, mungesën e mundësive, përjashtimit social. Këtu nuk po flas vetëm për shqiptarët, por edhe për romët, boshnjakët, dhe komunitetet tjera. Stereotipet janë akoma të shumta nëpër TV, në politika, dhe në debate, dhe duken akoma të ngecura në vitet e 90-ta pa ekzaminim kritik.
Dhe ajo që është më deprimuese është fakti që gratë janë akoma në fundin e konsideratës për çfarëdolloj politike. praktikë e cila replikohet edhe nga institutionet jo-qeveritare. Të gjitha ne gratë shqiptare siç duket jemi të këmbyeshme. Më kujtohen disa raste kur unë dhe një grua tjetër e kualifikuar dhe inteligjente shqiptare jemi të trajtuara në mënyrë të këmbyeshme si “eksperte” për tu përdorur që të krijojmë imazhin sipërfaqësor të diversitetit dhe inkluzionit, dhe që si duket mund të ketë vetëm një nga ne që flet në një ngjarje apo moment, sepse sigurisht që të gjitha ne paskemi të njejtat mendime, duke marrë parasysh që të gjitha jemi gra shqiptare, dhe intelegjente si gra shqiptare. Patjetër që nuk mund të supozohet që kemi mendime të pavarura që burojnë nga ndërtime diverse akademike, sociale dhe politike. Edhe më deprimuese është që kjo eksperiencë dhe narrativë është më së shumti e avancuar nga “liberalët” mes nesh. Duke marrë parasysh zgjedhjen e presidentes të dytë grua në Kosovën fqinje, posaçërisht duhet theksuar që nuk ka asnjë shqiptare që është momentalisht ministre në kabinetin qeveritar të Maqedonisë të Veriut, dhe vetëm një zëvendës ministre, si dhe asnjë grua të komuniteteve tjera jo-shumicë në degën e ekzekutivit, dhe kjo është e pafalshme. Arsyetimi se “nuk mund ti gjejmë” duhet të jetë turp për partitë të cilat deklarojnë që kanë ndjekje të madhe, dhe është përtaci dhe argument pa konsideratë.
Por hajt, le të vazhdojmë të fajësojmë MKO-në, sepse qartësisht është e vetmja gjë që nuk shkon në politikën tonë, dhe jo fakti që që janë në mesin tonë akoma kemi pabarazi sistemike që datojnë shumë vite më parë se marrëveshja. Në vend të këtij botëkuptimi, le të lëmë MKO-në në ulëset e pasme të historisë, dhe le të fillojmë të flasim për politika të reja. Zakonisht nuk jam person që ka karakter të mllefosur, por me pandeminë, që i rrotulloi gjitha gjërat, dhe që ka shfaqur fytyrën e të gjitha pabarazive që i kemi fshehur poshtë krevatit për shumë kohë, jam e lodhur duke dëgjuar argumente të vjetra. Besoj që sigurisht duhet të ketë ardhur koha për të imagjinuar ardhmëri të reja, të cilat janë të hapura dhe inkluzive, me qëllim të sigurimit të mirëqënies të çdo pjestari të shoqërisë, dhe kjo përfshin tërheqjen nga konceptime të vjetra, dhe këtu do të ja nis nga vetvetja.
Sinqerisht e juaja, një grua e mllefosur.